Irani e mohon se bisedimet janë duke u zhvilluar dhe thote se janë përqendruar te rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe heqja e bllokadës amerikane ndaj Iranit, të cilat duhej të ishin realizuar në kuadër të marrëveshjes së përkohshme. Nuk ka pasur asnjë shenjë kompromisi për ngushticën dhe as ndonjë tregues se kanë nisur bisedime të hollësishme për programin bërthamor. Ndërkohë, SHBA-ja nuk ka alternativa të mira për t’i dhënë fund luftës që nisi së bashku me Izraelin. Pranimi i kërkesave të fundit të Iranit do të nënkuptonte t’i jepte atij kontrollin mbi një rrugë ujore kritike ndërkombëtare, përmes së cilës kalonte një e pesta e naftës dhe gazit të tregtuar në botë përpara luftës – dhe do të ishte njësoj si të pranonte humbjen.
Përshkallëzimi i luftës do të pakësonte më tej rezervat amerikane të interceptorëve të avancuar të raketave, do të trondiste ekonominë botërore dhe do të rriste çmimet e karburanteve përpara zgjedhjeve për Kongresin amerikan.
Prandaj, të dyja palët janë ngulitur në pozicionet e tyre, duke shpresuar se tjetra do të tërhiqet e para, por deri tani, asnjëra nuk e ka bërë këtë.
Marrëveshja e qershorit, e njohur si Memorandumi i Mirëkuptimit, parashikonte ndalimin e të gjitha operacioneve ushtarake dhe vendoste një afat prej 60 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte përfundimisht fund luftës dhe do të zgjidhte mosmarrëveshjen e gjatë mbi aktivitetet bërthamore të Iranit. Ajo parashikonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por i jepte Iranit një rol të përcaktuar në mënyrë të paqartë për lehtësimin e trafikut, duke lënë të hapur mundësinë që pas përfundimit të afatit 60-ditor ai të vendoste tarifa. Irani është mbështetur te kjo pikë për të pretenduar se ka të drejtë kontrolli mbi këtë rrugë ujore.
