Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të vazhdojë negociatat me Iranin me qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve, njoftoi Presidenca turke.

Gjatë një bisede telefonike, Erdogan i ofroi Trumpit mbështetjen e plotë të Ankarasë për përpjekjet për paqe dhe theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të të gjitha mundësive diplomatike për tejkalimin e tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së.

Sipas Presidencës turke, dy presidentët diskutuan edhe për luftën në Gazë, paktin e mbrojtjes të nënshkruar nga Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe.

Erdogan e informoi Trumpin se sulmet izraelite ndaj popullit palestinez në Gazë janë intensifikuar pikërisht në periudhën kur duhej të fillonte faza e dytë e planit të paqes të presidentit amerikan.

Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe ndan kufi me Iranin, ka bërë vazhdimisht thirrje për t’i dhënë fund konfliktit mes Iranit dhe SHBA-së.