Shoferët me targa të huaja që kanë kryer kundërvajtje në komunikacion në Maqedoninë e Veriut, nga sot përballen me një procedurë të re gjatë daljes nga vendi.

Në pikën kufitare Tabanoc, sistemi “Qytet i Sigurt” tashmë identifikon automjetet për të cilat janë regjistruar më herët shkelje të rregullave të komunikacionit. Drejtuesit ndalohen dhe informohen për kundërvajtjen, pas së cilës u dorëzohet procesverbali dhe urdhërpagesa për gjobën.

Zbatimi i mekanizmit të ri ka sjellë sot numër më të madh të automjeteve të evidentuara në Tabanoc, pasi në sistem janë përfshirë edhe kundërvajtjet e kryera para fillimit të zbatimit të këtij mekanizmi.

Për këtë arsye, autoritetet kanë paralajmëruar masa për përshpejtimin e procedurës dhe reduktimin e pritjeve në kufi.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se qëllimi është që rregullat të vlejnë njësoj për të gjithë – si për automjetet me targa vendore, ashtu edhe për ato me targa të huaja.