Deputeti dhe kryetar i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejd sot në Gjykatën Kushtetuese dorëzoi iniciativë për të kundërshtuar metodologjinë e realizimit të regjistrimit në RMV gjatë vitit 2021, në pjesën e ndarjes së popullsisë në rezidentë dhe jorezidentë, sepse tani punësimi dhe shpërndarja e parave në komuna bëhet sipas këtyre shifrave të regjistrimit. Në deklaratën për media ai tha se janë shkelur nenet 8, 9 dhe 51 të Kushtetutës dhe nenet 6, 7 dhe 17 të Ligjit për Regjistrim. I pyetur nëse ky lëshim është bërë nga qeveria e kaluar, Zejdi tha:
“Ka qenë lëshim i qeverisë së kaluar, pa asnjë dyshim, por megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk duhet të korrigjohet ky lëshim. Gjykata Kushtetuese e ka këtë kompetencë, për të korrigjuar lëshimet e bëra, gabimet e bëra. Konsideroj se është më se njerëzore, më mirë vonë se asnjëherë të mos korrigjohet një lëshim një gabim dhe ka qenë gabim dhe këtë nuk besoj që një njeri me logjikë të shëndoshë do të mund ta arsyetojë që nuk ka qenë lëshim. Po të kishte ndarje në rezident dhe jorezident, kjo ndarje do të ishte dashur të bëhej në Kushtetutë”, deklaroi Zejdi, duke shtuar që pret që Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën e tyre dhe të marrë një vendim ligjor, ndërsa jo, siç theksoi, vendim politik.
