Gazetare: Ilirida Sulejmani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara,Danald Trump, tha se synimi kryesor i Uashingtonit është që Irani të mos posedojë armë bërthamore, ku kjo e bën të pasigurt marrëveshjen mes këtyre dy vendeve. Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të plotë të zonës përreth Ngushticës së Hormuzit, e cila është mbyllur që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit.

Më herët Trump kishte njoftuar se ishte arritur një marrëveshje kornizë me Iranin, me qëllim ndalimin e luftimeve, hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje më të gjerë, ku sipas tij, dokumenti duhej të kalonte në fazën e finalizimit dhe nënshkrimit. Pas përfundimit të afateve të përcaktuara për negociata, Trump tha se nuk ka bisedime aktive me Iranin, ndërsa tensionet vazhdojnë rreth çështjes së Ngushticës së Hormuzit dhe sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.

Në anën tjetër, Teherani ka kundërshtuar planin e fundit të Uashingtonit për sanksione të ashpra ekonomik, ku në një postim në X në orët e vona të 21 gushtit, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pretendoi se fushata e re e sanksioneve amerikane do të dështojë, ashtu si ato të mëparshmet.

Foto https://x.com/araghchi?lang=en
Vizart- Abbas Araqchi (Ministri i Jashtëm i Iranit)
“Dyfishimi i politikave të dështuara do të sjellë vetëm humbje të mëtejshme – dhe armiqësi ndaj iranianëve. Terrorizmi ekonomik amerikan kërcënon ekonominë globale dhe sovranitetin në mbarë botën.”

Irani ka dhënë leje për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit të një numri cisternash irakiane të naftës, pas kërkesave të përsëritura nga Bagdadi. Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, tha se marrja e lejes speciale për cisternat irakiane ishte një nga kërkesat kryesore të Bagdadit gjatë vizitës së kryetarit të parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf në Irak. Presidenti irakian Nizar Amedi tha se Irani kishte lehtësuar kalimin e anijeve që transportonin naftë irakiane përmes Ngushticës në ditët e fundit.

Iraku ka qenë ndër vendet më të prekura nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani pas fillimit të luftës në 28 shkurt. Trafiku në ngushticë mbetet dukshëm nën nivelet e paraluftës dhe anijet vazhdojnë të përballen me sulme në zonë. Iraku prodhonte rreth 4 milionë fuçi naftë në ditë para fillimit të konfliktit në Iran./Alsat.mk.

 

The post Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka rikthyer retorikën e fortë, në raport me Iranin appeared first on Alsat.