Kreu i socialdemokratëve, Venko Filipçe, thotë se LSDM-ja do ta mbështesë çdo hap të pushtetit që realisht do ta përmirësojë pozitën negociuese të shtetit dhe me këtë do të hapet rruga drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Këtë e deklaroi në një intervistë për Sitel, ku kërkon të bëhet e ditur nëse ka bisedime dhe për çfarë po negociohet. Ai kritikoi se kryeministri me politikat e tij po ndërton një mur rreth Maqedonisë.

“Nëse zhvillohen ndonjë lloj bisedimesh, pse nuk tregojnë me kë zhvillohen. Nëse zhvillohen ndonjë lloj bisedimesh, për çfarë zhvillohen? Ne nuk e dimë. Çfarëdo që të bëhet në kontekst të përmirësimit të pozitës sonë negociuese, ne në Kuvend do ta mbështesim. Kjo është e vetmja rrugë përpara për shtetin”, tha Filipçe.

Ditët e fundit, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do të vazhdojnë negociatat për tejkalimin e çështjeve të hapura me Bullgarinë, edhe pse konfirmoi se për momentin nuk ka asnjë paralajmërim apo ftesë për takime me homologun bullgar Rumen Radev. Radev, në raportimin për njëqind ditët, tha se i mbështet proceset e integrimit evropian të vendit, por kërkohet përmbushja e obligimeve të marra për mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në vend. Mickoski u përgjigj se edhe Bullgaria duhet t’i respektojë të drejtat e maqedonasve që jetojnë atje.

“Kushtetuta jonë ofron mbrojtje absolutisht serioze për të gjithë qytetarët në shtet, përfshirë edhe komunitetin bullgar. E tani këtu vijmë te tema e dytë, dhe kjo është se çfarë bëjmë me komunitetin maqedonas në anën tjetër të kufirit, duke pasur parasysh se Bullgaria ka ratifikuar, një Qeveri tjetër, jo kjo e zotit Radev, se do t’i respektojë të drejtat e njeriut, ndërsa nga ana tjetër vazhdimisht shmang regjistrimin e shoqatave të komunitetit maqedonas në Bullgari, siç është rasti me OMO Ilinden Pirin, edhe përkundër faktit se kemi dhjetëra aktgjykime nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, tha Mickoski.

Mickoski po zhvillon një luftë të rreme për maqedonasit në Bullgari, thotë Filipçe, sipas të cilit rruga e vetme për mbrojtjen e të drejtave të tyre është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Ashtu si pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës maqedonasve në Greqi u është lejuar të flasin në gjuhën maqedonase dhe të këndojnë këngë maqedonase, po ashtu edhe maqedonasve në Bullgari, vetëm kur ta fillojmë rrugën evropiane dhe kur ta përfundojmë atë, kur të bëhemi vend anëtar i Bashkimit Evropian, do t’u realizohen të gjitha të drejtat. Kjo është një luftë e rreme për maqedonasit në Bullgari që e zhvillon Hristijan Mickoski, sepse e di se përderisa jemi jashtë Evropës, nuk jemi mjaftueshëm të fortë dhe nuk jemi në tryezë. Bashkimi i të gjithë maqedonasve do të ketë vetëm në Bashkimin Evropian.”
Në të njëjtën linjë me Mickoskin është edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, i cili ditët e fundit konfirmoi se Maqedonia e Veriut mbetet në qëndrimet e saj të kuqe në negociatat e ardhshme me Bullgarinë.