Gazetare: Ilirida Sulejmani

Rritja e pranisë së mushkonjave gjatë kësaj periudhe ka sjellë vëmendje më të madhe ndaj masave parandaluese, veçanërisht pas paraqitjes së rasteve me ethet e Nilit Perëndimor, sëmundje e cila kjo bartet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Në parkun e qytetit, më konkretisht tek pellgu që zakonisht qëndrojnë qytetarë, sot nuk vërejtëm njerëz që qëndronin afër. Edhe pse rekomandimet për mbrojtje përfshijnë përdorimin e preparateve kundër mushkonjave, veshje me mëngë të gjata dhe shmangien e zonave ku ato shumohen, sipas qytetarëve mbrojtja e plotë është e vështirë.

“Për momentin nuk po mbrohemi dhe nuk i respektojmë rekomandimet për veshje të gjata, pantallona të gjata. Mushkonja ka edhe tani, ka pasur dhe do të ketë. Përndryshe nuk mund të mbrohesh.Thjesht duhet të rrish në shtëpi, i mbyllur, kjo është mbrojtja e vetme.Pra mbrojtje 100 për qind me të gjitha rekomandimet nuk ka”, tha një qytetar.

“Nuk e di, këtë vit nuk ka mushkonja.Për këtë sëmundje që doli dëgjova,e çuditshme”, tha një qytetar tjetër.

Gjendja me virusin e etheve të Nilit vazhdon të jetë alarmante, ku sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, janë paraqitur 43 raste në vend, 21 janë shtrirë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, prej të cilëve 4 janë në gjendje të rëndë, ndërsa një 74 vjeçar nga Komuna e Aerodromit është shënuar si viktima e pestë./Alsat.mk.

The post Ethet e Nilit / Qytetarët shmangin pellgjet, Parku i Qytetit i boshatisur appeared first on Alsat.