Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor Qeveria vendosi masa për zbutjen e çmimit të pajisjeve shkollore. Me këtë vendim, tregtarët me shumicë obligohen t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë obligohen të sigurojnë ulje prej të paktën 15%. Tregtarët janë të detyruar që, krahas çmimit të ri, të ulur të produktit, të paraqesin edhe çmimin e vjetër që ka qenë në fuqi më 1 qershor 2026. Kjo sepse pikërisht ky çmim merret si bazë mbi të cilën përcaktohet ulja. Masa, përfshin furnizimet bazë shkollore që blihen më shpesh para fillimit të vitit shkollor, duke përfshirë çanta, fletore, lapsa, goma, vizore, ngjitës, blloqe, si dhe materiale për arsimin artistik dhe teknik.
“Vendimi vlen nga dita e publikimit të tij deri më 30 shtator 2026. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe qytetarët duhet të kenë mundësi t’i blejnë produktet e përfshira në masë me çmime të ulura dhe të shënuara qartë. Kjo është një masë konkrete e orientuar drejt mbështetjes së drejtpërdrejtë të familjeve në një periudhë kur ato kanë shpenzime të rritura për përgatitjen e fëmijëve për vitin e ri shkollor. Ulja e çmimeve të mjeteve shkollore është edhe një hap tjetër në drejtim të mbrojtjes së standardit jetësor të qytetarëve, si dhe uljes së presionit mbi buxhetin familjar”, deklaroi Marija Miteva, Zëdhënëse e Qeverisë./Alsat.mk.
The post Qeveria vendosi masa për zbutjen e çmimeve të pajisjeve shkollore appeared first on Alsat.
