Fillimi i punimeve për fazën e dytë të autostradës Shkup–Bllacë ka rikthyer përplasjet politike rreth historikut, kostos dhe meritave për realizimin e projektit. Ish-zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, ka reaguar duke akuzuar Qeverinë se po e promovon si sukses të saj një projekt të cilin, sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit aktual më herët e kishin cilësuar si problematik, korruptiv dhe të parealizueshëm. Rexhepi thekson se faza e dytë e autostradës, në gjatësi prej 10,5 kilometrash, nuk është projekt që fillon nga zero në vitin 2026. Sipas tij, përgatitjet, projektimi, sigurimi i financimit dhe procedurat për realizimin e saj janë zhvilluar më herët, gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e Qeverisë.

Ai thotë se kontrata e raportuar për ndërtimin e këtij aksi kap vlerën prej rreth 222 milionë eurosh, ndaj, sipas tij, publiku ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndryshuar nga projekti i kritikuar më parë deri te ai që sot po promovohet nga Qeveria.

Rexhepi rikujton deklaratat dhe kritikat e bëra në tetor të vitit 2024, kur, sipas tij, Qeveria dhe përfaqësuesit e saj ngritën dyshime serioze për projektin. Ai i referohet një letre të kompanisë konsulente SUEZ, të datës 31 maj 2024, për të cilën thotë se atëkohë ishte përdorur si argument se kostoja e projektit ishte rritur nga rreth 172 milionë euro në 240 milionë euro, me pretendime se mund të arrinte deri në 300 milionë euro. “Sot, i njëjti projekt prezantohet si sukses i Qeverisë. Nëse projekti është i njëjtë, çfarë ka ndryshuar?”, pyet Rexhepi.

Ish-zëvendësministri kërkon sqarime nëse ndërkohë ka ndryshuar projekti ose dokumentacioni dhe nëse janë korrigjuar problemet për të cilat më herët kishte folur ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Ai kërkon gjithashtu të bëhet e ditur se çfarë ka ndodhur me letrën e SUEZ-it të 31 majit 2024, çfarë përmban konkretisht ajo dhe, nëse problemet e evidentuara janë korrigjuar, cilat kanë qenë ndryshimet dhe sa kanë kushtuar. Rexhepi kërkon transparencë të plotë nga Qeveria për dokumentacionin dhe financimin e projektit. Sipas tij, ekzekutivi duhet të publikojë letrën e SUEZ-it dhe kontratën për ndërtimin e autostradës, të sqarojë koston përfundimtare dhe të bëjë publike të gjitha ndryshimet eventuale në projekt dhe dokumentacion.

Ai kërkon gjithashtu përgjigje nëse është zhvilluar ndonjë hetim lidhur me dyshimet e ngritura më herët dhe, nëse po, cilat kanë qenë përfundimet e tij. Një tjetër çështje për të cilën Rexhepi kërkon transparencë është përzgjedhja e nënkontraktorëve që do të angazhohen në realizimin e projektit.

Sipas tij, nevoja për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë nuk vihet në diskutim, por kontestohet përpjekja që projekti të paraqitet si një nismë e re e pushtetit aktual. “Shkup–Bllacë duhet të ndërtohet. Por ky projekt nuk lindi sot. Ka histori, financim dhe dokumentacion të përgatitur më herët dhe ka edhe vulën e BDI-së”, përfundon Rexhepi.