Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, mori pjesë sot në vendosjen e gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore që do të krijojë një lidhje më të shpejtë dhe më efikase ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Në vendosjen e gurthemelit morën pjesë Kryeministri Hristijan Mickoski, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami, zëvendësministrja Kaltrina Zekolli, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

“Sot nuk flasim për atë që do të bëhet. Sot e nisëm! Autostrada Shkup–Bllacë është një prej rezultateve që dëshmojnë se projektet e mëdha mund të bëhen realitet. Kjo rrugë lidh Shkupin me Prishtinën, dy kryeqendra, dy ekonomi, mijëra familje, biznese dhe njerëz. Sot vendosëm gurthemelin, ndërsa nesër në këtë rrugë do të udhëtojnë gjenerata të tëra,” deklaroi Mexhiti.

Autostrada Shkup–Bllacë pritet të ketë rëndësi të veçantë për lidhjen infrastrukturore dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe duke krijuar kushte më të mira për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës.