Paralajmërimi i eurokomisares Marta Kos për mekanizma të përforcuar për zgjerimin e Unionit në tetor, sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, është sinjal pozitiv. Maqedonia po merr mesazhe nga diplomatët se po ndiqet dinamika e zbatimit, thotë Sali, duke shtuar se nevojiten hapa intensivë për realizimin e detyrimeve.

“Sigurisht, institucionet tona janë informuar dhe kanë filluar me kohë të ndërmarrin hapa që zgjerimi i agjendës së reformave të jetë në përputhje me të gjitha mundësitë që institucionet tona të përshtaten me nevojat dhe mesazhet që i japin diplomatët dhe institucionet e Komisionit Evropian. Këtë e shoh pozitivisht. Pra, komunikimi ynë me Bashkimin Evropian është në nivel të shkëlqyer dhe ne, si institucione, po përpiqemi të përgjigjemi me kohë”, tha Sali.

Eurokomisarja Marta Kos, në konferencën e djeshme të ambasadorëve kroatë në Zagreb, deklaroi se përparimi i ardhshëm i vendeve kandidate drejt anëtarësimit do të ndryshojë ndjeshëm, me integrim gradual, më pak bllokime të vendimeve nga vendet e tjera, si dhe kontroll më të rreptë dhe ndryshime në procesin e vendimmarrjes brenda vetë Bashkimit Evropian.

“Bota ka ndryshuar dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të. Komisioni do t’i paraqesë idetë e tij se si duhet të përgatitet Bashkimi Evropian, ndërsa vendet kandidate afrohen drejt fundit të negociatave për anëtarësim. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për ta bërë procesin e vendimmarrjes më të thjeshtë dhe më fleksibil”, tha Kos.

Se si kjo do të ndikonte në rrugën integruese të Maqedonisë, Sali thotë se ende po e shqyrtojnë këtë çështje dhe se për momentin janë të fokusuar kryesisht në përmbushjen e agjendës deri në vitin 2028.

“Kriteret për anëtarësim ende nuk janë përcaktuar. Pra, flitet për një periudhë që do të duhej të përcaktohej pas vitit 2028 dhe ne po e ndjekim me vëmendje, jemi në komunikim të vazhdueshëm për të parë se si do të zhvillohet procesi. Ende nuk ka asnjë dokument zyrtar apo bisedë lidhur me kriteret e reja dhe se si do të ishte faza e re. Ne ende po punojmë në agjendën të cilën duhet ta përfundojmë deri në vitin 2028”, deklaroi Sali.

Kos, ndërkaq, kërkoi mekanizma më të fuqishëm për mbrojtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e reja anëtare. “Duhet të sigurohemi që të mos na hyjnë ‘kuaj trojanë’, as sot dhe as pas 10 apo 20 vjetësh”, tha ajo.