Përfundoi takimi i kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në takim u diskutuan propozimet e të dy palëve për kandidatë për president të Kosovës, në kërkim të konsensusit për këtë post.

Kurti në konferencë për media pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kanë folur për emra të përveçëm, por nuk mund t’i bëjnë tash publik.

Kjo pasi, sipas Kurtit, akoma nuk i kemi pyetur a duan të jenë President, apo jo.

Ai tha se do të vazhdojnë bisedimet.

“Vazhduam bashkëbisedimin, diskutimin me kryetarin e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e tij në emër të LDK-së ishin edhe deputetët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri, ndërsa në anën tonë ishte Arbërie Nagavci dhe Hekuran Murati. Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë, serioz. Do të vazhdojnë bisedimet sepse është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar për emra të përveçëm. Ato udhëzimet që jemi pajtuar herën e kaluar iu kemi bashkangjitur edhe emrat konkretë, të cilat i kemi diskutuar dhe ky është një hap tutje përpara. Ne do të jemi plotësisht transparent për negociatat, por duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve të brendshme. Nuk janë emra që ne i kemi pyetur paraprakisht që a donin të pranonin që të jenë President, sepse paraprakisht duhet të dakordohemi në ndërmjet vete. Në këtë fazë nuk mun të flasim për emra të përveçëm”, tha Kurti.