Një përplasje e mundshme mes Joz Markut dhe Edi Kuçit ka ndezur rrjetet sociale, me TikTok-un që gjatë gjithë ditës së djeshme është mbushur me pretendime se mes dy personazheve të njohura ka ndodhur një konflikt fizik.

Deri tani, as Jozi dhe as Edi nuk kanë dhënë publikisht versionin e tyre, ndërsa informacionet që qarkullojnë për atë që ka ndodhur konkretisht janë kontradiktore dhe ende të pakonfirmuara.

Fire hedh pretendimin e fortë: “Edi është rrahur”

Bujë të madhe i ka dhënë ngjarjes personazhi i rrjeteve sociale Fire.

Gjatë disa transmetimeve LIVE në TikTok, ai ka pretenduar se disponon informacione nga momenti i përballjes dhe se ka parë edhe një video të incidentit.

Sipas versionit të tij, Edi Kuçi është rrahur nga këngëtari.

Megjithatë, deri tani nuk është publikuar ndonjë video që ta konfirmojë këtë pretendim.

Burime nga Shqipëria flasin për një përballje

Prive By LS raporton se, bazuar në disa burime në Shqipëri, mes Jozit dhe Edit ka pasur një përballje gjatë mbrëmjes së së enjtes.

Por ajo që mbetet e paqartë është natyra e këtij konflikti.

Versionet që qarkullojnë ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe nuk ka ende një konfirmim të pavarur nëse situata ka kaluar realisht në përleshje fizike dhe, nëse po, si është zhvilluar ajo.

G-Bani ndez edhe më shumë dyshimet

Situata mori një tjetër kthesë të premten në mëngjes pas një veprimi të G-Banit.

Ai shpërndau një video të vjetër të Edi Kuçit, në të cilën ky i fundit e kishte quajtur Jozin “bir shkine”.

Fakti që videoja u rikthye pikërisht në momentin kur në rrjet po qarkullonin zëra për një konflikt mes tyre ngriti menjëherë pikëpyetje.

Prive By LS ka tentuar ta kontaktojë G-Banin për të kuptuar arsyen e publikimit, por ai nuk ka qenë i qasshëm për koment.

Edi shfaqet në video, por hesht për ngjarjen

Pas gjithë zhurmës së krijuar gjatë ditës, Edi Kuçi publikoi në mbrëmje një video nga makina.

Ai nuk foli drejtpërdrejt për pretendimet mbi përleshjen, por dalja e tij para kamerës u interpretua nga shumë ndjekës si një reagim indirekt ndaj lajmeve që po qarkullonin.

Prive By LS ka tentuar gjithashtu ta kontaktojë Edin, por ai nuk ka qenë i qasshëm që nga mbrëmja e kaluar.

Nga kritikat te mbrojtja e Jozit

Marrëdhënia mes Edi Kuçit dhe Joz Markut ka kaluar më herët në disa faza të ndryshme.

Pas shuplakës së shumëpërfolur që Jozi i dha Gjestit në “Big Brother VIP Albania”, Edi kishte reaguar ashpër ndaj tij.

Megjithatë, disa muaj më vonë, në një deklaratë për Prive By LS, ai ndryshoi qëndrim dhe tha se, sipas tij, Jozi nuk kishte qenë fajtor në atë situatë.

Tani, pretendimet për një përballje mes tyre kanë rikthyer gjithë historinë në vëmendje.

Për momentin, një gjë është e sigurt: rrjetet sociale po vlojnë nga versionet dhe akuzat, por mbetet të pritet që Jozi ose Edi të flasin publikisht për të sqaruar se çfarë ka ndodhur realisht mbrëmjen e së enjte.

The post Plas skandali mes Jozit dhe Edi Kuçit? TikToku “shpërthen”, pretendohet për përleshje fizike dhe qarkullon versioni se këngëtari e ka rrahur appeared first on Veriu.info.