Gazetar: Suad Bajrami

Partitë kërkojnë përgjegjësi për funksionarët e partisë serbe të udhëhequr nga Ivan Stoilkoviq, të cilët glorifikojnë figurën e kriminelit serb Ratko Mlladiq. Keti Shterjova nga LSDM thotë se nuk ka hapësirë që drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve Dalibor Kitanoviq të tërheqë faljen, por të shkarkohet menjëherë.

“Njerëz si Stoilkoviqi dhe Kitanoviqi me qëndrime të tilla nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë ushtrues të çfarëdo funksioni në Qeveri. A pajtohet Mickoski me ministrin e tij Ivan Stoilkoviq? A është Ratko Mlladiqi gjeneral edhe i tij? Nëse Mickoski nuk pajtohet me Stoilkoviqin dhe Kitanoviqin, atëherë le t’i dënojë qëndrimet e tyre dhe le t’i shkarkojë. Kjo është pjesë e agjendës më të gjerë, skenar i Vuçiqit dhe Mickoskit që e zbaton edhe për të cilën LSDM paralajmëron”, deklaroi Keti Shterjova nga LSDM.

Ndërkohë nga BDI-ja opozitar akuzojnë partnerin shqiptar në Qeveri VLEN se nuk guxojnë ta përmendin emrin e Stoilkoviqit.

“Kjo heshtje mbetet një pyetje e rëndë për opinionin publik, sidomos kur vetë Stoillkoviç ka deklaruar se përfaqësuesit e VLEN-it duhet të kenë kujdes, sepse dy-tri herë, sipas tij, i ka “shpëtuar nga turpi publik”. Prandaj pyetja është e pashmangshme: çfarë i lidh VLEN-in me Ivan Stoillkoviçin dhe pse nuk kanë guxim ta denoncojnë atë?”, theksojnë nga BDI.

Ndërkohë nga Partia Liberale Demokratike theksojnë se është e papranueshme që t’i jepet një mundësi e dytë dikujt që ka kryer vepër penale. Madje, ata thonë se Qeveria në këtë rast po sillet me standarde të dyfishta. Qytetarët i ndëshkon menjëherë, ndërsa funksionarëve ua falë dhe u jep mundësi që të tërhiqen dhe të amnistohen nga ligji.

Paraprakisht edhe VLEN ka dënuar glorifikimin e Mlladiqit, duke kërkuar përgjegjësi të menjëhershme për rastin. /Alsat.

The post BDI: VLEN s’guxon ta përmend emrin e Stoilkoviqit appeared first on Alsat.