Gabriel Jesus është pranë transferimit te Barcelona. Sulmuesi brazilian mbërriti të hënën në Katalonjë dhe transferimi i tij do të zyrtarizohet para mbylljes së merkatos. Për të foli zëvendësdrejtori sportiv i Barcelonës, Bojan Krkić, i cili për një dekadë ishte pjesë e departamentit të skautimit të klubit dhe përgatiti disa raporte për brazilianin gjatë periudhës së tij te Manchester City.

“Kisha shumë besim tek ai, raportet ishin të shkëlqyera. Shkova ta shihja dy herë nga afër kur ishte te City dhe flitej për largimin e tij, para se të transferohej tek Arsenali”, – tregoi Krkić për “SPORT”. Ai vlerëson veçanërisht cilësitë teknike: “Është një lojtar shumë i mirë teknikisht. Ka kontroll të shkëlqyer të parë me të dyja këmbët, e drejton mirë topin dhe reagon shumë shpejt në hapësira të ngushta”.

Krkić thekson se Jesus nuk është një qendërsulmues statik: “Mund të lëvizë në çdo zonë të sulmit dhe të hapet në krah”. Sipas tij, braziliani është “një punëtor i palodhur, lojtar skuadre dhe shumë aktiv në presingun e parë”.

Ndryshe nga Lewandowski, 29-vjeçari nuk është një bomber klasik: “Është më shumë lojtar kombinues sesa golashënues i pastër. Shifrat e tij nuk kanë qenë kurrë ato të një goleadori të madh, por lidh repartet dhe mendon e vepron me shpejtësi të jashtëzakonshme”.

Dyshimi kryesor lidhet me gjendjen fizike: “Është rikuperuar dhe po stërvitet me intensitet të plotë, por ka nevojë për vazhdimësi në stërvitje dhe ndeshje. Është një mundësi e artë…, mund të rezultojë goditje e madhe për klubin”.

The post “Gabriel Jesus te Barcelona? Punëtor i palodhur, lojtar skuadre, jo qendërsulmues statik” appeared first on Telesport.