Gazetar: Zekirija Haxhiu
Komuna e Butelit dhe Ministria e Arsimit morën vendim që në shkollën fillore “Penko” të mund të pranohen vetëm nxënës nga komuna e Çairit që kanë motra apo vëllezër që mësojnë në këtë shkollë. Kjo do të thotë se ata prindër që duan të regjistrojnë fëmijën e tyre të parë, nuk do të pranohen. Kështu, klasat e para në gjuhën shqipe përsëri do të ngelen sipas vendimit paraprak me katër paralele dhe nuk rikthehet paralelja e pestë.
“Në shkollën “Penko” do të ketë katër paralele në gjuhën shqipe dhe një paralele në gjuhën maqedonase për fëmijët e komunës së Butelit. Përjashtim do të bëhet për ato fëmijë të cilët, në atë shkollë u mësojnë vëllezërit apo motrat më të vjetër prej tyre. Do e përsëris, respektimi i ligjit dhe rajonizimit është mënyra e vetme për t’i shmangur problemet. Nëse fillojmë të përpiqemi të shmangim ligjin, do të kemi probleme”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Pavarësisht se bëhet fjalë për nxënës që jetojnë vetëm pak metra larg shkollës “Penko”, mos pranimi i tyre dhe mbyllja e paraleles së pestë shqipe sipas kreut të Butelit, Darko Kostovski nuk është diskriminim. Ai thotë se as nxënës maqedonas nga Çairi nuk janë pranuar në “Penko”.
“Konsideroj se askush s’është diskriminuar. Më vjen keq që u hodh parashenjë etnike për këtë çështje sepse me të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me atë që dikush po përpiqet ta paraqesë….Edhe kjo çështje që po e parashtroni pyetjen, maqedonisht ose shqip, mendoj se gabimi i parë që e bëjmë është kur të përmendim paralele “maqedonisht – shqip”. Pra, nuk ekziston mënyrë ku një përkatësi etnike lidhet me këtë çështje por vetëm ligji. Kishte edhe maqedonas nga Çairi që nuk u pranuan. Dua të them se problemi që në fillim kur të parashtrohet pyetja, nuk duhet të ketë ndarje”, u shpreh Darko Kostovski, kryetar i Butelit.
Në këtë shkollë, paralelet maqedonase nga klasa e dytë deri në të nëntën, kryesisht kanë nga 16 nxënës të ndara në dy klasa. Ka klasa madje me vetëm 5 apo 8 nxënës, por nuk është mbyllur asnjë paralele. E nga ana tjetër, klasat me mësim në shqip, do të jenë të mbushura me nga 24-25 nxënës. Sipas ligjit për arsim fillor, paralelet duhet të formohen me nga 20 deri në 30 nxënës./Alsat.mk.
The post Janevska e Kostovski arsyetojnë zgjidhjen për shkollën “Penko” appeared first on Alsat.
