Plani i fundit i përgjithshëm urbanistik për Tetovën është punuar në vitin 2003 dhe i njëjti ka pasur afat kalendarik deri në vitin 2013. Që nga ajo kohë, qyteti nuk ka pasur një plan të ri urbanistik. Nga Sektori për Urbanizëm në Komunën e Tetovës bëjnë të ditur se Plani Detal Urbanistik është në proces e sipër, ndërsa territori përmban gjithsej 128 blloqe urbane, prej të cilave vetëm 68 janë me plane aktive, ndërsa 60 të tjera nuk kanë fare plane detale.

“Plan i përgjithshëm urbanistik i Tetovës ka qenë me afat deri në vitin 2013 dhe ai afat kohor i tij ka qenë deri në vitin 2013 dhe askush nuk ka marrë ndonjë iniciativë për përpilimin e planit të ri të përgjithshëm urbanistik. Këtë e bëri kryetari Bilall Kasami, i cili mori vendim për përpilimin e një plani të ri të përgjithshëm urbanistik. Plan i përgjithshëm urbanistik në vete ngërthen 128 plane detale të tjera, ku 68 prej tyre janë aktivë, 60 prej tyre nuk kanë plane detale, të cilët nevojiten që t’i motivojmë edhe qytetarët që të punojnë në ato plane detale, që brenda kohës të kemi mundësi edhe për zhvillime të mëtejshme”, tha Rilind Selmani – Sektori për Urbanizëm – Komuna e Tetovës.

Sipas Selmanit, procedurat për hartimin e planit të ri po vijojnë dhe synimi kryesor është zgjerimi i hapësirës urbane të qytetit deri në 1.500 hektarë. Me këtë planifikim parashihet krijimi i hapësirave për objekte të reja banimi, salla sporti, pishinë publike si dhe rrugë të reja infrastrukturore.

“Iniciativën për përpilimin e planit të përgjithshëm urbanistik e kemi marrë për atë arsye, domethënë të bëhet zgjerimi i planit ekzistues. Plani ekzistues gjeneral ka diku 1160 hektarë përfshirje, kurse me të riun do të përfshihen deri në 1500 hektarë sipërfaqe. Automatikisht destinimet të cilat janë, do të përshtaten edhe me ndërtimet të cilat janë të bëra në terren. Plani i përgjithshëm urbanistik ecën me ritëm të shpejtë. Jemi në fazën e përpilimit të programit planor. Para saj, domethënë, jemi duke i siguruar edhe kushtet e planifikimit tek Agjencia e Planifikimit. Ato kërkonin që të kemi një prerje të të gjitha projekteve urbanistike të cilat kanë fituar kushte përgjatë viteve në vijim, domethënë të bëhet një përshtatje dhe të sikronizohen ndërmjet veti”, u shpreh Rilind Selmani – Sektori për Urbanizëm – Komuna e Tetovës.

Gjatë vitit 2025, në Komunën e Tetovës janë lëshuar gjithsej 212 leje ndërtimi, ku përfshihen ndërtime të reja, mbindërtime dhe zgjerime të objekteve ekzistuese.