Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, nga Dublini theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së si domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë e Evropës. Ai tha se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian, reformave dhe harmonizimit me politikat e BE-së.
Sali veçoi sundimin e ligjit, reformën në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe administratën publike si sfida kryesore.
Ai përshëndeti idenë e integrimit gradual të vendeve kandidate në politikat dhe Tregun e Vetëm të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë. Sipas tij, ky model do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe do të rriste besimin në procesin e integrimit. Sali kërkoi mbështetje më të madhe nga vendet anëtare përmes ekspertizës dhe programeve evropiane për forcimin e institucioneve vendase. Ai theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i parashikueshëm, i drejtë dhe i bazuar në merita, ndërsa synimi përfundimtar mbetet anëtarësimi i plotë në BE.
