Maqedonia e Veriut bëhet pjesë e iniciativës rajonale “Korridori Vertikal”, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit nga drejtori ekzekutiv i NOMAGAS SHA Shkup, Nedim Rama, në Selanik.
Me këtë marrëveshje, NOMAGAS i bashkohet operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit natyror që zhvillojnë Korridorin Vertikal, i cili lidh sistemet e Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Serbisë, duke krijuar një aks të transmetimit të gazit në drejtimin jug-veri.
Nënshkrimi u bë në kuadër të Forumit të 10-të të Energjisë për Evropën Juglindore (SEEF 2026), pas tryezës ministrore “Security, Affordability and Competitiveness in a Changing Energy Landscape”.
“Për Maqedoninë e Veriut, kyçja në Korridorin Vertikal do të forcojë bashkëpunimin rajonal, do të mbështesë integrimin më të mirë të sistemit tonë kombëtar të transmetimit të gazit natyror me rrjetin më të gjerë evropian, do të diversifikojë rrugët e furnizimit me gaz dhe do të avancojë sigurinë e furnizimit në rajon”, deklaroi Nedim Rama.
Memorandumi parashikon bashkëpunim për shfrytëzim më efikas të infrastrukturës ekzistuese, rritje të kapaciteteve në pikat e interkoneksionit dhe zhvillim të rrjedhave dydrejtimëshe të gazit natyror.
Për zbatimin e marrëveshjes do të krijohen një Komitet Drejtues dhe një Ekip i Projektit, të cilët do të koordinojnë aktivitetet teknike, komerciale dhe rregullatore.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut po avancon edhe në projekte konkrete infrastrukturore. Ndërtimi i interkonektorit të gazit me Greqinë është në vijim dhe pritet të përfundojë e të vihet në përdorim në tremujorin e tretë të vitit 2027. Përparim është shënuar edhe në interkonektorin e gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Memorandumi i ri zëvendëson marrëveshjen e nënshkruar më 19 janar 2024 dhe do të jetë i vlefshëm për tre vjet, me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
