Gjermania deri në vitin 2029 mund të përballet me mungesë prej rreth 723 mijë punëtorësh të kualifikuar, që është pothuajse dyfishi i mungesës së regjistruar prej rreth 370 mijë punëtorësh në vitin 2025. Këto janë të dhënat e studimit më të fundit të Institutit për Ekonominë Gjermane (IW), i cili është i lidhur me punëdhënësit.
Sipas projeksioneve të IW, mungesa më e madhe në vitin 2029 pritet të jetë në sektorin e shitjeve, ku mund të mbeten të paplotësuara rreth 39.100 vende pune. Të prekura rëndë do të jenë edhe sektorët e kujdesit për fëmijët dhe arsimit, me një mungesë të parashikuar prej 29.900 punëtorësh, si dhe puna sociale dhe pedagogjia sociale, ku pritet të mungojnë rreth 23.600 persona.
Në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit mund të mungojnë rreth 18.700 punëtorë, ndërsa në fushën e instalimeve elektrike mungesa vlerësohet në rreth 17.400 kuadro të kualifikuara.
Autori i studimit, Aleksander Burstedde, rritjen e ndjeshme të mungesës së fuqisë punëtore pjesërisht e lidh me valën e madhe të punëtorëve që në vitet e ardhshme do të dalin në pension. Në të njëjtën kohë, në tregun e punës po hyjnë shumë pak të rinj, ndërsa Gjermania po përballet edhe me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të tërhequr punëtorë nga jashtë.
“Rimëkëmbja ekonomike mund ta rrisë më tej kërkesën për punëtorë të kualifikuar”, thekson Burstedde.
Analiza e Institutit IW projekton zhvillimet në tregun e punës deri në vitin 2029, bazuar në të dhënat e disponueshme deri në fund të vitit 2024. Ajo paralajmëron për një zhvillim shqetësues nëse trendet aktuale vazhdojnë.
