Një kapitull i ri duket se po nis për Stresin. Reperi ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram se disa prej këngëve të tij, të cilat prej kohësh nuk kanë mundur të publikohen për shkak të çështjeve teknike dhe procedurave kontraktuale me YouTube, më në fund do të jenë të disponueshme për fansat.
Këngët pritet të publikohen në orën 19:00, ndërsa menjëherë pas këtij publikimi, Stresi ka paralajmëruar se do të tërhiqet përkohësisht nga muzika.
Sipas tij, kjo pauzë nuk duhet parë si një ndarje nga skena, por si një mundësi për t’iu përkushtuar projekteve të tjera profesionale.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”, u shpreh reperi.
Në mesazhin e tij, Stresi iu drejtua të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij ndër vite, duke përfshirë fansat, mbështetësit, kolegët dhe madje edhe kritikët. Ai nënvizoi se secili prej tyre ka lënë gjurmën e vet në karrierën e tij artistike.
“Më në fund janë aty ku duhet të jenë, te ju”, shkroi ai, duke iu referuar këngëve që kanë qëndruar të bllokuara për një kohë të gjatë.
Megjithatë, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte paralajmërimi për një pauzë nga muzika.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt”, përfundoi Stresi.
Tashmë mbetet për t’u parë se cilat janë projektet e reja që reperi ka në plan dhe në çfarë forme do të rikthehet në muzikë pas kësaj periudhe.
The post Stresi paralajmëron një pauzë nga muzika: “Kjo nuk është lamtumirë” appeared first on Veriu.info.
