Gazetare: Ajnur Bafqari
Autoritetet ende nuk zbulojnë detaje të reja për personin që dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit Amir Murati në Duqanxhik të Shkupit. Edhe pse ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dy ditë më parë tha se policia ka informacion për identitetin e njërit prej të dyshuarve dhe se bëhet fjalë për një person që aktualisht vuan dënim me burg, ende nuk ka sqarime se si ai ka qenë jashtë institucionit ndëshkues në momentin e ngjarjes. Policia dhe Prokuroria Publike vazhdojnë hetimin, ndërsa për momentin nuk bëhet e ditur nëse personi ka pasur leje për dalje nga burgu, nëse ka qenë i liruar përkohësisht apo nëse ka arritur të arratiset.
“Në këtë moment nuk do të doja të ndaj më shumë informacione në interes të hetimit. Punojnë hetuesit në kuadër të MPB-së, në koordinim me Prokurorinë Publike, kur të kemi informacion konkret që mund ta ndajmë me opinionin, gjithsesi se do ta bëjmë. Për këtë lëndë kishte interesim të lartë mediatik, do të ju informojmë me të gjitha detajet kur të kemi informacione, që do të mund t’i ndajmë, jo që nuk kam informacione ”-tha ministri i brendshëm, Pançe Toshkovski.
Kërkuam informacion edhe në burgun e Idrizovës, ku na kërkuan identitetin e personit konkret për të cilin kërkonim të dhëna. Duke qenë se kërkesa jonë ishte bazuar vetëm në deklaratën e ministrit dhe nuk dispononim emër konkret, nga burgu nuk mundëm të merrnim një përgjigje zyrtare, me arsyetimin se nuk mund të identifikonin personin për të cilin kërkoheshin informacionet.
Përgjigje nuk ka as nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.
Incidenti i armatosur ndodhi tre netë më parë, rreth orës 23:30, pranë një udhëkryqi në Çair, përkatësisht në lagjen Duqanxhik në afërsi të stacionit policor në Bit Pazar. Në vendngjarje ndodhej një grup prej pesë personash, kur papritur dy persona të tjerë, të cilët lëviznin me motoçikletë, iu afruan grupit dhe gjuajtën breshëri plumbash Pas të shtënave, autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Gjatë incidentit u qëllua 26-vjeçari Amir Murati nga Shkupi, i cili, si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur./ Alsat.mk
The post Hetimet për vrasjen e 26-vjeçarit vazhdojnë, mister mbetet dalja e të dyshuarit nga burgu appeared first on Alsat.
