Kryeministri i Singaporit, Lawrence Wong, pritet të thellojë edhe më tej diferencën e pagës së tij me liderët e vendeve të tjera, pasi qeveria ka vendosur të rishikojë pagat e zyrtarëve politikë.

Me reformën e re, paketa vjetore e pagës së kryeministrit do të arrijë në 3.6 milionë dollarë Singapori, ose rreth 2.85 milionë dollarë amerikanë, nga 2.2 milionë dollarë Singapori sa ishte më parë.

Kjo shumë është rreth shtatë herë më e lartë se paga vjetore prej 400 mijë dollarësh e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndërsa është më shumë se katër herë më e lartë se paga e presidentit zviceran.

Sistemi i pagave në Singapor bazohet në krahasimin me të ardhurat e profesionistëve më të paguar në sektorin privat, me synimin që shërbimi publik të mbetet konkurrues.

Wong ka deklaruar se, nëse vazhdon të jetë kryeministër, do ta dhurojë për bamirësi të gjithë rritjen e pagës së tij për një periudhë pesëvjeçare.

Megjithatë, ai pranoi se pagat e politikanëve janë një çështje e ndjeshme dhe se shumat janë dukshëm më të larta se të ardhurat e shumicës së qytetarëve. Rritja për zyrtarët aktualë nuk do të jetë e menjëhershme, por fillimisht do të bëhet një rregullim deri në 9%, ndërsa ndryshimet e mëtejshme do të varen nga performanca dhe përgjegjësitë e tyre.