Pep Guardiola është një nga ish-lojtarët dhe ish-trajnerët më të rëndësishëm në historinë e Barcelonës. Prej 8 vitesh në drejtimin e Manchester City, ai është një referencë e futbollit botëror për sukseset e shumta që ka arritur gjatë karrierës. Kjo karrierë fituese dhe e njohur filloi në shtëpi, te Barça.

Trajneri ishte një nga të ftuarit, mbrëmjen e kësaj të enjte, në programin “Nou Clam” të TV3, i cili iu referua kërkesave të mëdha të klubit blaugrana dhe vetëshkatërrimit që ekziston dhe e karakterizon subjektin në fjalë. Megjithatë, Pep kishte edhe fjalë lavdëruese për hierarkinë e klubit.

Guardiola fitoi, mes shumë titujve të tjerë, dy Liga të Kampionëve, dy Botërorë për Klube dhe tri La Liga në stolin “culé”, por u largua pas 4 sezonesh plot suksese. Pavarësisht trofeve dhe rekordeve legjendare që arriti, trajneri u largua nga entiteti në verën e vitit 2012, në një nga momentet më të mira të historisë së tij.

Guardiola foli hapur në TV3 për largimin e tij dhe se sa luftëra të brendshme e prekin dhe e lodhin Barcelonën: “Atje ka kërkesa të mëdha. Të jesh trajner i Barçës është gjëja më e vështirë. Gjithmonë ka qenë kështu dhe do të jetë. Kjo na ka ndodhur të gjithëve.

Te Barcelona, goditjet të vijnë nga kudo dhe çdo ditë. Në klube të tjera, ju shihni se nga vijnë goditjet, por ato që lindin nga brenda janë shumë të hidhura. Ju duhet të vendosni se cilat luftëra do të bëni, të brendshme apo të jashtme. Pesonalisht sugjeroj më mirë të mos hyni në to, për shëndetin tuaj.

Rreziku i lodhjes së përditshme që vjen nga përpjekja për të menaxhuar mjedisin e Barçës është evident. Përçmimi për atë që bëni është i vazhdueshëm dhe kjo përfundon duke ju bërë dëm”.

Por, pavarësisht këtyre fjalëve, trajneri katalanas pati edhe lavdërime e mirënjohjeje për Barcelonën: “Nga këndvështrimi im, Barça nuk duhet ta ndryshojë modelin e saj. Nga jashtë, të gjithë e shohin Barçën si diçka ndryshe. Ky klub ka karizëm, është krejt i veçantë, nuk e di çfarë lavdërimi më të madh mund të marrë”.

The post “Te Barça merr goditje çdo ditë dhe nga të gjitha anët, ato që të lëndojnë më shumë vijnë nga brenda” appeared first on Telesport.