-Një kontraktues ta ndërtojë tunelin për lidhjen hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, të rishikohet çmimi dhe projekti për seksionin e tretë, ndërsa Bullgaria ta përfundojë pjesën e saj të hekurudhës, sipas Ministrisë së Transportit, kjo është dakorduar në takimin e djeshëm në Sofje mes delegacionit të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në bisedimet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
“Tre argumentet kyçe të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski janë pranuar. Duhet të ketë një projekt të përbashkët për tunelin me qëllim që të mos ndërtohet një tunel që nuk të çon askund, më tej Bullgaria të përfundojë pjesën e saj të hekurudhës dhe së treti të rishikohet çmimi që është shumë i lartë si dhe rishikimi i vetë projektit. Pas vlerësimit të rreziqeve, ndërtimi i tunelit për lidhjen hekurudhore ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë është më efikas të bëhet nga një kontraktues, kumtoi sot Ministria e Transportit.
Në takimin, nga pala e Maqedonisë e udhëhequr nga sekretari shtetëror në Ministrinë e Transportit, Stefan Vollkanovski dhe drejtori i Hekurudha – Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski, u theksua se Maqedonia nuk devijon nga lidhja hekurudhore dhe se ky projekt shihet si një projekt rajonal që thekson zhvillimin e rrjeteve evropiane të transportit.
“Nga të dyja palët u pranua që i gjithë projekti në pjesën faza 3 (Kriva Pallankë – Deve Bair) të rishqyrtohet sepse çmimi aktual është shumë i lartë dhe i paarsyeshëm me synimin që i njëjti të ulët. Të dy delegacionet, gjithashtu u dakorduan që të përdorin vendimin për projekt teknik për tunelin të dorëzuar nga NP Hekurudha – Infrastrukturë. U dakordua që të dyja vendet të formojnë grupe pune për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për tunelin”, informoi Ministria e Transportit.
Gjatë takimit, siç kumtojnë, palët shkëmbyen informacione, një afat kohor për ndërtim, si dhe ndanë përvoja në lidhje me çështjet teknike të ndërtimit të Korridorit 8, veçanërisht në pjesën e procedurave për funksionimin e ardhshëm të tunelit ndërkufitar “Deve Bair”.
Marrëveshjet e arritura do të prezantohen para institucioneve përgjegjëse financiare të BE-së.

