Duke folur para garës së radhës në Formula 1, atë që zhvillohet këtë fundjavë në Azerbajxhan, piloti i Ferrari, Charles Leclerc, lëshon një sfidë drejt rivalëve. Piloti nga Monako e bën këtë duke u krenuar me një seri prej katër “pole position” radhazi (2022–2024) në pistën qytetase të Baku edhe pse asnjëri prej tyre nuk është përkthyer në fitore.
“Nuk e di nëse mund të fitojmë këtu… Provat kualifikuese janë aspekti më i vështirë për ne këtë vit. Le të themi se, nëse e nisim garën nga pozicionet e para, do të kemi shanse të mira. Megjithatë, fillimisht duhet të punojmë për konfigurimin e duhur të makinës, pasi SF-26 paraqet shumë variabla”, tha Leclerc.
Më tej, ai shtoi: “Më pëlqen kjo pistë; më ka sjellë shumë sukses në kualifikuese, por këtë vit situata do të jetë më e ndërlikuar. Pas pushimit të verës, McLaren ka bërë hapa gjigantë, ndërsa Mercedes ka qenë pikë referimi që nga fillimi i sezonit. Ne kemi hasur vështirësi, por nuk mendoj se është një problem specifik i pistës”.
“Gjithçka varet nga makina dhe tani na takon ne të bëjmë një punë më të mirë. Jemi në një betejë të ngushtë me McLaren, por Mercedes mbetet makina për t’u mundur”, tha Leclerc, që foli edhe për marrëdhënien me Leëis Hamilton: “Nuk mendoj se kemi nevojë për rregulla të shkruara. Gjëja më e rëndësishme është të diskutojmë me qetësi mes nesh, gjë që e kemi bërë gjithmonë”.
“Jemi pilotë konkurrues dhe ambiciozë ndaj kjo është krejt normale. Ajo që ka rëndësi është që në fund të mbizotërojnë interesat e skuadrës dhe kjo nuk ka qenë kurrë në diskutim. Jam me Ferrari që nga viti 2019; e di si funksionojnë gjërat. Kur bëhet fjalë për ‘kokëkuqen’, gjithçka merr përmasa të ekzagjeruara”, tha Leclerc.
The post Leclerc: Gara e Baku do të jetë e vështirë për Ferrari, me Hamilton asnjë mosmarrëveshje appeared first on Telesport.
