Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet takimi i 25-të i Komitetit të Përbashkët Parlamentar Maqedonia e Veriut-Bashkimi Evropian, ku përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe deputetët diskutojnë për procesin e integrimit evropian dhe hapat që vendi duhet të ndërmarrë në kuadër të agjendës së reformave.
Takimi mbledh shtatë eurodeputetë, ndërsa delegacioni evropian drejtohet nga eurodeputeti bullgar Ivajlo Valçev, në mungesë të kryesuesit të delegacionit, Karlo Resler.
Pjesë e delegacionit është edhe Tomas Vajc, raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut.
Në fokus të diskutimeve janë transparenca e punës së Kuvendit, bashkëpunimi me sektorin civil dhe mundësitë për përfshirjen më të madhe të qytetarëve në punën e parlamentit.
Eurodeputetët janë interesuar edhe për vlerësimet e shoqërisë civile lidhur me transparencën dhe hapjen e Kuvendit ndaj qytetarëve.
Në takimin me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, u diskutua edhe për agjendën e reformave, administratën publike, sistemin gjyqësor, si dhe lidhjen rajonale dhe atë të transportit.
