Potenciali ekonomik i Maqedonisë së Veriut po prezantohet në Azerbajxhan, para kompanive dhe liderëve të biznesit nga Evropa dhe Azia. Këtë po e bën Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, po qëndron atje për vizitë zyrtare me ftesë të homologut të tij, e ku po merr pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Investimeve. Sipas tij, Maqedonia e Veriut mbetet lidere në rajon për nga përkrahja e investimeve të huaja dhe zhvillimi industrial.

“Tregova se Maqedonia e Veriut është lider në përkrahje të investimeve dhe në zhvillimin e industrisë. Kemi industri më të zhvilluar në rajon. Tregova të gjitha mundësitë që i ofrojmë ne si vend gjithë investitorëve të huaj. Tregova edhe arsyet dhe mundësitë që mund të kemi që të bashkëpunojmë në të ardhmen, se si qeveria ka përkrahur dhe do të përkrahë edhe në të ardhmen të gjitha kompanitë të cilat do të investojnë në vendin tonë dhe do të hapin vende të reja pune”, tha Durmishi.

​Durmishi informoi pjesëmarrësit se në vendin tonë funksionojnë 15 Zona të Lira Ekonomike me kompani me renome ndërkombëtare, ndërsa vuri në dukje edhe harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, çka lehtëson daljen e produkteve në tregun evropian.

“Po ashtu kanë hapur edhe vende pune në vendin tonë. Tregova arsyet që ne si vend kemi harmonizuar ligjet tona me Bashkimin Evropian dhe përmes nesh kompanitë që janë në vendet e tjera mund të investojnë dhe produktet e tyre t’i shesin në tregun e Bashkimit Evropian, që është një treg shumë më i madh, shumë më i gjerë dhe një mundësi shumë e mirë për të gjitha kompanitë që mund të investojnë në vendin tonë”, shtoi Durmishi.

​Forumi Ndërkombëtar i Investimeve në Baku ka mbledhur përfaqësues të lartë shtetërorë, ministra ekonomie dhe liderë të biznesit nga rajoni dhe bota. Në fokus të diskutimeve mbeten zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik, digjitalizimi, zhvillimi i infrastrukturës energjetike, si dhe krijimi i mundësive të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.