Arabia Saudite i ka rikthyer besimin dhe i ka dhënë hapësirë të vazhdueshme loje, por João Félix nuk e konsideron të përfunduar kohën e tij në futbollin elitar evropian. Sulmuesi portugez, foli për gazetën “AS” rreth planeve të tij.
“Kam menduar për t’u rikthyer në Evropë, ndonëse ndoshta jo menjëherë. Nuk e di nëse do të jetë në fund të këtij sezoni apo atij të ardhshëm, por dua të kthehem. Të luash në Evropë, të luash në Champions League dhe të luash me ekipet më të mira në botë, të jep motivim shtesë”, tha Felix.
Portugezi shton se ndihet i transformuar nga përvoja e tij te Al Nassr: “Ndihem si një lojtar më i mirë; e kuptoj më mirë lojën dhe momentet e ndryshme të një ndeshjeje. Tani ndihem shumë më i pjekur.”
Ndarja e angazhimeve si në klub ashtu edhe në kombëtare me Cristiano Ronaldo ka qenë gjithashtu vendimtare: “Është diçka që pak njerëz në botën e futbollit mund të thonë se e kanë bërë. Është nder. Jemi rritur duke e parë Cristiano si idhullin tonë, si një shembull për t’u ndjekur.”
Lojtari portugez ruan një kujtim të veçantë për Barcelonën: “Vetë fakti që luajta për Barcelonën më bëri shumë të lumtur. Ishte një ëndërr fëmijërie për mua, babanë tim dhe vëllain tim.”
Ai nuk ka asnjë pendesë as për periudhën te Atlético Madrid, duke e konsideruar atë përvojë si të rëndësishme për rritjen e tij personale. Së fundmi, Félix e veçoi Lamine Yamal si të preferuarin e tij për “Topin e Artë”.
“Gjithmonë kam menduar se ‘Topi i Artë’ duhet t’i shkojë lojtarit që të bën të thuash ‘Uau’. Nëse ka një lojtar që të mban të mbërthyer pas ekranit, ai është Lamine. Ndonëse është e vërtetë që Mbappé dhe Kane patën sezone të shkëlqyera, Lamine është futbolli”, tha Felix.
The post Nga CR7 te Barcelona, Joao Felix synon rikthimin në Evropë: Më mungon Champions, ja kush e meriton Topin e Artë appeared first on Telesport.
