Kuvendi i Kosovës duhet t’i shfrytëzojë këto ditë për t’i dalë në mbështetje ish-krerëve të UÇK-së, tha deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, edhe nëse s’ka dakordim për presidentin dhe shkohet në zgjedhje të reja, Kuvendi duhet që deri më 6 tetor t’i bashkohet zërit të qytetarëve se “dënimi i Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së nuk ishte në emrin tonë”.
Aktualisht, në Kuvend është proceduar projektligji për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërkaq në seancën e sotme pritet të miratohet një deklaratë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Gjykata e konfirmoi se më 6 tetor mbyllet afati për të zgjedhur presidentin. Kjo i bie se janë shumë pak ditë dhe kuptohet, gjithë kjo kohë është djegur qëllimshëm nga LVV-ja dhe Kurti. Këto ditë të mbetura janë të rëndësishme për krijimin e institucioneve dhe për t’iu përgjigjur zërit të qytetarëve, i cili veçse po rritet çdo ditë e më shumë, jo vetëm në Kosovë. Vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është i papranueshëm, i padrejtë, për shkak se UÇK-ja ka bërë luftë çlirimtare dhe s’është në emrin tim dhe as në emrin tonë. Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë, edhe nëse nuk i krijon institucionet, që t’u bashkohet qytetarëve”, tha ai.
Haradinaj, duke hyrë në Kuvendin e Kosovës, akuzoi kryeministrin Albin Kurti se qëllimi i tij nuk është zgjedhja e presidentit, por shkuarja në zgjedhje të reja.
“Qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje, përderisa çdo gjë shkon drejt zgjedhjeve. Do të ishte e turpshme me i lënë këto ditë pa i shfrytëzuar, të paktën me u bërë bashkë me popullin, jo në emrin tonë… Ne kemi dhënë ofertën tonë me ndihmu krijimin e institucioneve, edhe pse e kemi ditur se është lojë e Kurtit. Ai i ka ftuar në takime dhe ka tallur dhe i ka lënë pa marrëveshje. Nuk jemi pjesë e lojërave të tij dhe nuk do të bëhemi”, përfundoi ai.
