Naim Sadiku nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës (AGK) në serialin “Robin Hud”, që transmetohet në TV21, tha se pavarësisht përpjekjeve nga grupe të ndryshme të interesit për t’i  zotëruar dhe kontrolluar,  mediat arrijnë të ruajnë pavarësinë e tyre. Sadiku theksoi se fatmirësisht, edhe përskaj presionit, mediat po arrijnë që ta vendosin në pah interesin e publikut.

“Mbase mund të bëjnë përpjekje për t’i zotëruar, por nuk do të thotë se të gjithë arrijnë t’i zotërojnë. Përpjekjet janë të vazhdueshme dhe pikërisht për këtë fakt mediat dhe gazetarët përballen me një presion të jashtëzakonshëm, e mira e gjithë kësaj është se pavarësisht të gjitha këtyre përpjekjeve, pavarësisht këtyre tentimeve, kërcënimeve dhe formave të tjera, media arrin ta ruajë pavarësinë e saj”, deklaroi Sadiku.

Episodin e plotë të serialit “Robin Hud” me temë – Klientelizmi dhe censura, partitë politike me “redaksi të tyre mediatike”, mund ta ndiqni sot me fillim nga ora 12:05 në TV21. Fenomenin është trajtuar në bashkëpunim me kolegët nga Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.