Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se “Termini im” nuk funksionon si duhet dhe për këtë arsye nuk shfrytëzohen plotësisht kapacitetet shëndetësore, përfshi edhe aparaturat nëpër klinika.
“Sistemi i vendosur për evidencën e pajisjeve mjekësore, për shkak të të dhënave jo të plota, nuk mundëson që aparaturat mjekësore të shfrytëzohen në tërësi dhe me kapacitetin e tyre të plotë”, – thanë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Sipas auditorit, kjo situatë ka ndikuar që të keqpërdoren terminët për kontrolle dhe ndërhyrje mjekësore.
“Nëpërmjet vizitave në vend është konstatuar mungesa e listave të termineve të caktuara për kontrolle te disa institucione shëndetësore publike. Praktika të tilla krijojnë rrezik që personat pa termine të caktuara për kontroll, duke përdorur udhëzimet prioritare pa termin dhe udhëzimet urgjente, të shërbehen para pacientëve të cilët kanë termine të rregullta të caktuara dhe që presin për një periudhë më të gjatë kohore”. – Enti Shtetëror i Revizionit.
Keqmenaxhimi i sistemit ka dhënë indikacione dhe për keqpërdorimin e të dhënave personale të pacientëve.
“Janë konstatuar dobësi të veçanta në fushën e sigurisë së TI-së dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Revizioni konstatoi se nuk janë implementuar procedura dhe mekanizma kontrolli për menaxhimin e qasjeve të përdoruesve, monitorimin e aktiviteteve në sistem dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive”. Deklaruan nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Paralelisht janë gjetur edhe sisteme të tjera simotra të cilat posedojnë të dhënat e pacientëve dhe personelit mjekësor, që sipas auditorit jep indikacione për qasje të paautorizuar te të dhënat personale. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski paralajmëroi rishikimin e marrëveshjes me operatorin ekonomik “Termini im” dhe kthimin e tij në pronësi shtetërore./Alsat.mk
The post Sistemi “Termini im” dështon në funksionimin e shërbimeve shëndetësore appeared first on Alsat.
