Pavarësisht fillimit të zbatimit të afateve për zhvendosjen e kazinove, sallave me aparate elektronike dhe bastoreve, interesi për lojërat e fatit nuk tregon shenja të rënies.

Të dhënat nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti, qytetarët e Maqedonisë dhe shtetasit e huaj kanë shpenzuar gjithsej rreth 1.6 miliardë euro në lojëra fati.

Pjesa më e madhe e kësaj shume është shpenzuar përmes aparateve elektronike të lojërave të fatit, ndërsa kazinotë dhe bastoret vazhdojnë të zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut.

Këto shifra tregojnë se sektori i lojërave të fatit vazhdon të ketë një vëllim të jashtëzakonshëm financiar, pavarësisht masave të reja me të cilat kufizohet afërsia e objekteve të lojërave të fatit me shkollat dhe institucionet e tjera arsimore.

Organizatorët e lojërave të fatit, nga ana tjetër, kundërshtojnë zhvendosjen e objekteve. Ata konsiderojnë se kjo masë nuk do ta eliminojë bixhozin, por mund të çojë në rritjen e aktiviteteve të paligjshme që lidhen me lojërat e fatit.

Sipas tyre, largimi i kazinove, sallave me aparate elektronike dhe bastoreve nga afërsia e drejtpërdrejtë e institucioneve arsimore nuk do ta zvogëlojë bixhozin, por një pjesë e aktiviteteve mund të zhvendoset drejt kanaleve jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes shtetërore.