Pas shumë vitesh pritjeje, fëmijët në Përshevcë të Tearcës bëhen me çerdhe moderne

Pas shumë vitesh pritjeje, në fshatin Përshevcë të Komunës së Tearcës, u përurua çerdhja e re. Ministri i Politikës Sociale, Gjoko Vellkovski, theksoi se trendi i hapjes së kopshteve të reja për fëmijë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Sipas tij, deri në fund të vitit 2028 duhet të përfundojë ndërtimi i 37 objekteve, të cilat do t’u vihen në dispozicion qytetarëve. Nga ana tjetër, Kryetari i Tearcës, Daut Memishi, theksoi se për ndërtimin dhe pajisjen e objektit janë investuar 808 mijë euro, pjesa më e madhe e të cilave janë siguruar nga Bashkimi Evropian. Memishi tha se janë angazhuar maksimalisht për të shtyrë përpara procesin që kishte ngecur prej vitesh.

“E përuruam çerdhen në Komunën e Tearcës, gjegjësisht në fshatin Pëshevcë. Kapaciteti i kësaj çerdhe është 147 fëmijë, do të thotë nga mosha 0 deri në 6 vjet. Mirëpo, një e mirë po i pret banorët e Komunës së Tearcës që sot dua ta prezantoj, që ne veçmë se si komunë, me administratën do të thotë brenda komunës, kemi përpiluar një… jemi në përpilim e sipër të një projekti tjetër për një hapjen e një çerdhe të re. Mirëpo, në koordinim me ministrin, u dakorduam që – do të dëgjoni edhe nga deklarata e tij – që edhe ai tregoi që do të ketë thirrje do të thotë nga ministria përkatëse ku është ai ministër”, tha Daut Memishi.

“37 kopshte fëmijësh deri në përfundimin e objektit që do të përfundojë… flas për programin e Qeverisë deri në vitin 2028, do të jenë plotësisht të hapura dhe do të jenë në funksion të qytetarëve tanë në të gjithë Maqedoninë. E kjo do të thotë se më shumë se 3.700 fëmijë në atë moment do të jenë pjesë e mbrojtjes fëmijërore si shtesë, kuptohet, në të gjithë procesin dhe me këtë do ta tejkalojmë atë problem që e kemi prej vitesh e vitesh me listat e pritjes në Maqedoni”, tha Gjoko Vellkovski.