Roberto Mancini u shpreh i kënaqur pas fitores së dytë radhazi ndaj Turqisë së Vincenzo Montella, rezultat që e ngjit Italinë në vendin e dytë, pas Francës, duke kaluar Belgjikën: “Pavarësisht ndryshimeve, të gjithë ishin të lodhur. Vuajtëm pak në fillim, por djemtë reaguan mirë, krijuan raste dhe shënuan. Pas golit të 1-1, arritëm të kalonim sërish menjëherë në avantazh. Duke qenë ndeshja e katërt në një periudhë të shkurtër, ishte vërtet një paraqitje e mirë”.
Për ndryshimet në formacion: “Ishte e pashmangshme të humbnim diçka në rrjedhshmëri dhe automatizma. E dinim që do të ndodhte dhe ishte krejt normale”. Për zëvendësimet: “Dy lojtarë ishin të ndëshkuar me karton të verdhë dhe arbitri më dukej i prirur t’i ndëshkonte sërish, ndaj i hoqa”.
Për Romano, i aktivizuar si mesfushor qendre: “Ai mund të luajë shumë mirë edhe si ‘mezzala’. Ka vetëm nevojë të luajë këto ndeshje për të vazhduar të përmirësohet”. Për punën e bërë: “Bilanci është më shumë se pozitiv. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Tani do të shohim ndeshjet e nëntorit, që me shumë mundësi do t’i luajmë në Belgjikë”.
The post Mancini: Vuajtëm pak në fillim, por djemtë reaguan mirë, krijuan raste dhe shënuan appeared first on Telesport.
