Kryeministri Hristijan Mickoski, lidhur me propozimin e Odës Ekonomike të Maqedonisë për uljen e numrit të festave, që janë ditë jo pune për punëtorët, tha se të drejtat e fituara duhet të respektohen.

“Në parim, mendoj se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë”, theksoi Mickoski.

Ndërkohë, dje, Oda Ekonomike e Maqedonisë njoftoi se së shpejti do t’i dorëzojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës propozim-ndryshime në Ligjin për Festat. Me këto ndryshime, numri i ditëve jo pune do të reduktohej në mënyrë indirekte në 13, ndërsa festat që bien të dielën nuk do të zhvendoseshin më si ditë jo pune të hënën.

Sipas menaxheres së projektit në Odën Ekonomike, Aneta Dimovska, propozimi nuk parasheh heqjen e festave ekzistuese, por rishikimin e të drejtës për shfrytëzimin e ditëve jo pune.

Ndaj këtij propozimi reaguan menjëherë edhe përfaqësuesit e sindikatave, të cilët kundërshtuan idenë për reduktimin e festave si ditë jo pune për punëtorët.