Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj dy të punësuarave në Lotarinë Shtetërore, të dyshuara për përvetësim në detyrë dhe falsifikim të dokumentacionit afarist, përcjell TV21. Sipas hetimit, dy të dyshuarat, njëra drejtoreshë e Sektorit për Financa dhe Kontabilitet dhe tjetra shefe e punëve financiare, gjatë vitit 2024 nuk kanë depozituar rreth 46 milionë denarë nga qarkullimi ditor, ndërsa dyshohet se kanë përvetësuar edhe rreth 34 milionë denarë nga llogaritë e Lotarisë.

Për të fshehur gjurmët, siç kumtoi Policia Financiare, dyshohet se kanë kryer transaksione fiktive dhe kanë përdorur dokumentacion të rremë kontabël. Gjatë kontrolleve në pesë lokacione në Shkup dhe Vallandovë janë sekuestruar dokumentacion, telefona, kompjuterë, pajisje elektronike, para, ar dhe stoli. Dy të dyshuarat janë privuar nga liria.