Pas mesazheve të shefes së Komisionit Evropian Ursula Von Der Lajen se javën e ardhshme nis një hap I ri për zhbllokimin e procesit euro integrues, zv, kryeministri Bekim Sali në emisionin e mbrëmshë Clik Plus njoftoi se pritet të zhvillohet një takim mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Sofje, me qëllim intensifikimin e komunikimit mes dy qeverive. Sipas tij, të dyja palët kanë shprehur dakordim për takimin, por Maqedonia e Veriut ende pret konfirmimin zyrtar për datën dhe vendin.

“Në takimin që do të mbahet, nëse nuk gaboj, të mërkurën në Sofje, ministrat e Punëve të Jashtme do të kenë një takim fillestar lidhur me intensifikimin e komunikimit mes dy qeverive. Nga ana jonë, kërkesa u pranua në momentin kur u parashtrua, ndërsa edhe ne e bëmë kërkesën për një takim të mundshëm në Sofje. Informacionet e fundit flasin se edhe qeveria bullgare e ka pranuar një kërkesë të tillë dhe është dakorduar për një takim të mundshëm. Ministria e Punëve të Jashtme tani pret edhe dokumentin zyrtar që do ta konfirmojë organizimin e takimit, si dhe kohën dhe vendin në Sofje”, tha Sali.

Lidhur me deklaratën e presidentes së Bullgaris Jutova se jemi të gatshëm për bisedime por pa ultimatume, Bekim Sali thotë se Maqedonia e Veriut nuk i vendos ultimatum Bullgarisë, por kërkon që çdo kërkesë dhe detyrim të jetë i qartë dhe transparent. Sipas tij, vendosja e kërkesave të reja pas ndryshimeve kushtetuese do të krijonte pasiguri dhe do ta zgjaste edhe më tej procesin e integrimit evropian.

“Ne nuk kemi asnjë ultimatum ndaj Bullgarisë. Deri më tani, jemi ballafaquar me kushtëzime. Por, siç e theksova edhe më herët, jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka që është transparente dhe e qartë. Lënia e nënkuptimeve apo hapësirave ku mund të shtohen kërkesa të reja krijon pasiguri edhe për qytetarët tanë. Sepse nesër, nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe më pas shtohen kërkesa të tjera, kjo do të na marrë përsëri një periudhë kohore. Kështu, në procesin e integrimit evropian ne po ngecim vetëm për shkak të bilateralizimit të çështjes së integrimit. Jemi dëshmitarë dhe e shohim se disa shtete tashmë na kanë tejkaluar në këtë proces, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut ka qenë në të njëjtin hap me Kroacinë”, u shpreh Sali.

Maqedonia e Veriut ende nuk ka një datë konkrete për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Qeveria thekson se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik, ndërsa për ndryshimet kushtetuese kërkohet një vendim politik më i gjerë dhe garanci se procesi do të jetë i qartë dhe i parashikueshëm. Sipas Bekim Salit, qëllimi është zhbllokimi i procesit, por mënyra se si do të arrihet kjo duhet të dakordësohet mes palëve dhe të shoqërohet me përkrahje të opinionit publik.