Ende nuk ka përgjigje nga Bullgaria nëse dhe kur do të ketë takim mes shefit të diplomacisë së Maqedonisë, Timço Mucunski, dhe homologes së tij bullgare, Velislava Petrova-Çamova, pasi presidentja e Komisionit Evropian bëri thirrje që të zhvillohen bisedime me Sofjen. Nga pala bullgare për momentin ka njoftim se është e mundur të ketë një takim në margjinat e takimit ministror për Korridorin 8, i cili duhet të mbahet të enjten, por deri tani nuk ka marrëveshje zyrtare. Kryeministri Mickoski thotë se nuk pret asgjë dhe se kjo do të jetë si një takim i shkurtër, në këmbë.
“Duke pasur parasysh analizën time, të cilën dje ia thashë ministrit të Punëve të Jashtme, do të jem sërish diplomatikisht jokorrekt, por duke pasur parasysh sjelljen e Sofjes zyrtare, nuk pres konfirmim, nuk pres asgjë, pres ndonjë dialog “pull aside”, ne kështu e quajmë, në këmbë, dhe afërsisht të jetë kaq”, tha Mickoski.
Opozita edhe sot me kritika! Thotë se Mickoski ka një strategji për ta minuar mundësinë për mbajtjen e takimit dhe bisedimeve me Bullgarinë.
“Edhe para se të ndodhë ai takim, shohim një strategji për minimin e atij takimi. Kryeministri Mickoski, tani do të na detyrojë të mendojmë dhe të flasim vetëm për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Por kjo është strategjia speciale që Mickoski po e bën tani vetëm që ta largojë Maqedoninë përsëri prapa dhe të mos jemi pjesë e këtij paketi i cili së shpejti do të hyjë në Bashkimin Evropian”, tha Andrej Zhernovski – LSDM.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, gjatë vizitës në Shkup të premten porositi se Maqedonia duhet ta zgjidhë mosmarrëveshjen me Bullgarinë, pas së cilës, sipas saj, vendi shumë shpejt do të avancojë drejt anëtarësimit në BE.
