Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Justina Shiroka-Pula për marrjen e postit të presidentes. Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova ka presidenten, por edhe ligjin me ndryshime për Dhomat Specializuara, duke shtuar se do të punojnë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në Apel.
Kurti tutje ka falënderuar edhe deputetët që kanë marrë pjesë në votimin e presidentes, e po ashtu edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza për pranimin e propozimit.
“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile. Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel. Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!”, ka shkruar ai.
Mes tensionesh nga protestat e vazhdueshme e edhe të përshkallëzuara me thirrjet që të votohen në plotëni ndryshimet në Ligjin për Specialen, dhe nën presionin e orës që shënonte përfundimin e datës 6 tetor, si afat i fundit për zgjedhjen e presidentit, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar Justina Shiroka-Pulën, presidente të Republikës së Kosovës.
Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur besimin që e marta Kosovës do t’i kthehet rruga e mbarë.
Pas dakordimit të PDK-së dhe Vetëvendosjes, të martën Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente pak pasi u miratuan në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Specialen.
“Nata e mbrëmshme ishte një natë e gjatë për Republikën e Kosovës. Por dua të besoj se do të jetë edhe një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin tonë dhe, bashkë me shtetin e me Presidenten e re, edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së, në betejën tonë të përbashkët për drejtësinë, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare. Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka thënë protestuesit në shesh, për 20 ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bënë pjesë e rëndësishme e procesit.
“Qytetarëve tanë dhe brezave që vijnë u duhet një Kosovë që nuk harron, një shtet që nuk dorëzohet dhe një shoqëri që e mbron të vërtetën e saj. Atyre u duhet një Kosovë që nuk lejon që sakrifica dhe lufta për liri të zbehen nga harresa apo të shtrembërohen nga paragjykimet. Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare. UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete. Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm. Duhet të jemi të gjithë bashkë!” ka shkruar tutje ai.
