Policia në qytetin Ho Chi Minh të Vietnamit ka arrestuar 12 persona të dyshuar për vjedhjen e rreth 2.700 maceve për mish, raportuan mediat shtetërore vietnameze, përcjell TV21. Gjatë aksionit u identifikua 39-vjeçari Luu Tan Binh, i cili dyshohet se ishte udhëheqësi i grupit. Kundër tij dhe 11 personave të tjerë ka nisur hetim.
Sipas informacioneve fillestare, ai blinte macet e vjedhura dhe më pas i rishiste për mish. Në bashkëpunim me furnizues dhe persona të tjerë, nga ora 23:00 deri në 04:00 të mëngjesit, ata lëviznin me motoçikleta nëpër lagje në kërkim të maceve. Objektivi i tyre ishte të kapnin nga katër deri në dhjetë mace në një natë.
Konsumimi i mishit të qenit dhe maces është ende i pranishëm në disa pjesë të Azisë. Në Vietnam, mishi i maces konsumohet më shpesh në pjesën veriore të vendit, veçanërisht nga brezat më të vjetër. Megjithatë, me kalimin e kohës, kjo traditë po zbehet te brezat e rinj, të cilët i mbajnë këto kafshë si kafshë shtëpiake.
Në vitin 2024, në Vietnam më shumë se 250.000 persona nënshkruan një peticion për ndalimin e shitjes së mishit të maceve.
Të dyshuarit e kanë pranuar fajësinë për veprën, ndërsa periudha gjatë së cilës është kryer aktiviteti i dyshuar ende nuk është bërë publike.
