Është hapur çerdhja e rinovuar “8 Prilli” në komunën Shuto Orizarë të Shkupit, me kapacitet për 250 fëmijë, me mbështetjen e ambasadave të Norvegjisë dhe Zvicrës. Objekti përfshin dhoma lojërash për fëmijët e moshës parashkollore dhe çerdhe për më të vegjlit dhe është institucioni i vetëm i këtij lloji në komunë.

“Rezultati është mbresëlënës. Ky institucion është ndërtuar sipas standardeve të larta për efikasitet energjetik dhe qasshmëri. Përfshin dhoma lojërash për fëmijët e moshës parashkollore, çerdhe për më të vegjlit, një kënd lojërash gjithëpërfshirës dhe një çati të gjelbër që mund të përdoret për mësim në ambient të hapur dhe edukim për mjedisin dhe është institucioni i vetëm i këtij lloji në një komunë me më shumë se 25 mijë banorë, ku nevoja për shërbime parashkollore vazhdon të jetë e lartë”, tha Kristin Melson.

“Me vënien në funksion të të gjashtë dhomave të aktiviteteve do të siguroheshin vende në arsimin parashkollor për rreth 140 fëmijë, gjë që do të kontribuonte në përmbushjen e objektivave të Qeverisë dhe njëkohësisht do të mundësonte qasje më të barabartë në edukimin e hershëm të fëmijëve, veçanërisht për komunitetet e cenueshme”, tha Kristof Zomer.