Rreth 30 mijë shishe verë të cilësisë së lartë, me një vlerë të përllogaritur prej 5 milionë eurosh, janë grabitur në kantinën e kompanisë së njohur italiane “Marchesi Antinori”, në Cortona, në provincën e Arezzos, në Toskanë.
Sipas mediave italiane, grabitja konsiderohet si një nga më të mëdhatë e këtij lloji në Itali. Mes shisheve të vjedhura janë verërat e njohura Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të gjitha të prodhimit të vitit 2023. Mes tyre, rreth 10 mijë shishe i përkasin markës Solaia.
Grabitja dyshohet se është kryer natën e së dielës, më 4 tetor, nga një grup prej të paktën shtatë personash. Autorët kanë çaktivizuar sistemin e alarmit dhe kanë nxjerrë jashtë funksionit kamerat e sigurisë, përpara se të hynin në kantinë me dy kamionë.
Për të ngarkuar shishet, ata kanë përdorur edhe mjetet ngritëse të kompanisë. Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit konstatuan mungesën e ngarkesës.
Administratori i përgjithshëm i kompanisë, Renzo Cotarella, deklaroi se bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar, duke mos përjashtuar mundësinë që të njëjtët persona të jenë përfshirë edhe në grabitje të tjera të kantinave italiane gjatë muajve të fundit.
Sipas kompanisë, vlera e lartë e verërave dhe prodhimi i kufizuar i disa etiketave mund ta bëjnë të vështirë shitjen e tyre pa ngjallur dyshime.
“Marchesi Antinori” po informon klientët në mbarë botën për vjedhjen dhe u bën thirrje të tregojnë kujdes ndaj ofertave jashtë kanaleve zyrtare të shitjes, pasi shishet mund të jenë pjesë e mallit të grabitur. Ndërkohë, autoritetet po hetojnë ngjarjen për identifikimin e autorëve dhe gjurmimin e verërave të vjedhura.
