Maqedonia dhe Mali i Zi do të lidhen me një linjë ajrore, me fluturim të drejtpërdrejtë nga Shkupi në Podgoricë dhe anasjelltas. Këtë e paralajmëroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Siç tha ai, në takimin me krerët shtetërorë të Malit të Zi është diskutuar për këtë çështje dhe së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje. Siç deklaroi Nikolloski, ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë do të nënkuptojë hapjen e Maqedonisë drejt portit të tretë, atij në Tivar, ndërsa aktualisht po ndërtohet lidhja me autostradë dhe hekurudhë me portin në Durrës. Nikolloski në Podgoricë ka zhvilluar takime me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane dhe të Jashtme, Filip Ivanoviq, si dhe me ministrin e Transportit, Radosh Zeçeviq.

“Folëm edhe për lidhjen ajrore dhe pres që brenda një kohe shumë të shkurtër të nënshkruhet një marrëveshje, e cila do të nënkuptojë fluturim të drejtpërdrejtë mes Shkupit dhe Podgoricës, me çka do të kemi edhe një kryeqytet tjetër me të cilin jemi të lidhur. Kjo do të ndihmojë shumë në zhvillimin e turizmit, por gjithashtu edhe në zhvillimin e biznesit dhe lidhjen mes dy shteteve. Aeroportet si në Shkup, ashtu edhe në Podgoricë, janë në rritje dhe kjo është një mënyrë e mirë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të mundësuar vazhdimin e rritjes së të dy aeroporteve”, tha Nikolloski.