Afër 2.1 milionë euro u shpenzuan për 67 artistë që ishin pjesë e festimit të organizuar për 35 vjetorin e pavarësisë. Zëdhënësja e qeverisë Marija Miteva, njoftoi strukturën financiare për organizimin e festimit, por nuk zbuloi saktësisht se sa kushtuan performancat individuale të yjeve të muzikës botërore si David Guetta dhe Jose Carreras.
Sipas raportit burimet financiare paraqiten në pesë kategori themelore.
“Kategoria e 1 është tarifat për artistët dhe interpretuesit… për të cilat paraqiten gjithsej 129,307,500 denarë.
Kategoria e 2 është prodhimi, për të cilin tregohen 96,272,512 denarë. Kategoria e 3 janë kostot logjistike… edhe këtu, tregohen 58,527,037 denarë. Kategoria e 4 është marketingu, me një vlerë prej 2,832,450 denarë. Dhe kategoria e 5 janë tarifat për bashkëpunëtorët, për të cilat tregohen 53,570,250 denarë. Me fjalë të tjera, vlera totale e të pesë kategorive është: 340,509,749 denarë”. tha Marija Miteva
Sipas raportit financiar, gjithsej 5.5 milionë euro u shpenzuan për 18 shfaqjet në 13 qytete në të gjithë vendin. Një nga projektet më të mëdha ishte karvani muzikor dhe skenik “Një ditë e ndritshme” i cili mbuloi 11 qytete. Drejtor i “Lotarisë Shtetërore” Aleksandar Klimomvski tha se është e rëndësishme që koncepti të mos mbështetej vetëm te artistët e huaj, por që angazhimi ishte që artistët vendas të kishin një vend qendror në festim. Klimovski bëri krahasimin e koncerteve ndër vite për të arsyetuar kostot e larta.
“Mund të them se ajo që bën dallimin nga e kaluara dhe e tanishmja është që këtu kishte shfaqje spekatokolare që deri më tani nuk ishte sjell. Kështu që kjo është një diferencë e madhe ndërmejt prezantimit fizik të një DJ dhe sjellja e e gjithë ekipit me 50-60 kamionë-maune për ai ‘Monolith Show’ ta shohin qytetarët në stadium. Ky është një dallim i madh ndërmejt shfaqjes ashtu dhe performancës kështu”, tha Aleksandar Klimomvski
Projekti u konceptua si një karvan muzikor nacional që kaloi nëpër 11 qytete: Ohër, Manastir, Veles, Krushevë, Kumanovë, Shtip, Prilep, Kërçovë, Kavadar, Probishtip dhe Shkup. Në këtë realizim u angazhuan 41 interpretues vokalë, 20 valltarë profesionistë, aktorë, si dhe një orkestër e përbërë nga 15 muzikantë. Në kuadër të konceptit programor “Më e mira e Maqedonisë”, u organizuan tre koncerte në tre qytete – Strumicë, Shkup dhe Tetovë. Në kuadër të këtyre ngjarjeve muzikore, performuan disa nga emrat më të famshëm dhe domethënës në skenën muzikore maqedonase: Mizar, Synthesis and Memory, Superhiks, Slatkaristika, Dva Bona, Funk Shui, Dina Jashari, Karolina Gocheva dhe Elita 5. Vetëm në stadiumin e Shkupit ngjarja u përcoll nga rreth 50,000 vizitorësh.
