Ndeshjet e ditës finale të Kampionatit Kombëtar të Boksit për të rritur, turne që po organizohej në pallatin e sportit “Asllan Rusi” Tiranë nuk janë zhvilluar. Shkak është bërë tërheqja e gjyqtarëve, që sipas tyre janë kërcënuar nga trajnerë të ndryshëm.

Sipas “shkodrasport”, problemet kanë filluar që në ditën e parë të kampionatit kur si rrjedhojë e këtyre presioneve janë tërhequr nga gara 3 gjyqtarë. Ndërsa të premten ka patur edhe një incident, me goditjen e kryegjyqtarit të kampionatit nga një boksier pas duelit.

Mësohet se të dielën, kur boksierët finalistë janë paraqitur për duelet e titullit, kanë mësuar se disa prej arbitrave kishin marrë kërcënime nga drejtues të ekipeve të ndryshme “për të bërë kujdes me arbitrimin se nëse do kishte probleme, ata do përfundonin keq”.

Gjyqtarët e kërcënuar kanë lajmëruar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Boksit, të cilët janë munduar të normalizojnë situatën duke negociuar me ta për t’u ngjitur në ring, por pa sukses. Për pasojë, pas tre orësh pritje, boksierët janë larguar nga pallati i sportit.

Ende nuk dihet se si do të “mbyllet” ky kampionat, por vendimi mbetet në dorë kryesisë së Federatës Shqiptare të Boksit. Pritet që ata të analizojnë situatën e ngjarjen e rëndë të ndodhur, duke marrë edhe masat e duhura.

The post Kërcënohen gjyqtarët, nuk ngjiten në ring dhe anulohen finalet e Kampionatit Kombëtar të Boksit appeared first on Telesport.