Për shkak të rënies së temperaturave, fillon sezoni i ngrohjes edhe për komunat Çair dhe Butel, përkatësisht për konsumatorët e kyçur në sistemet e ngrohjes qendrore në Shkup, të cilat menaxhohen nga Energy Ecolink, pjesë e grupit Tessa Energy.

Energy Ecolink, kompania e ngrohjes që furnizon me energji termike banorët e Çairit dhe Butelit, është e gatshme për sezonin e ngrohjes 2026/2027, me fokus në furnizim të sigurt, modernizim të sistemit dhe përmirësim të shërbimeve për konsumatorët.

Sezoni i ngrohjes zyrtarisht fillon më 15 tetor, por në përputhje me rregulloren mund të fillojë edhe më herët, në periudhën nga 1 deri më 15 tetor, nëse parashikimi i temperaturës mesatare të jashtme për ditën e ardhshme është i barabartë ose më i ulët se 12°C.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), për datën 13 tetor parashikohet një temperaturë mesatare e jashtme prej 12°C, me ç’rast plotësohen kushtet për prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji termike, në përputhje me vendimin e Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE).

Sipas rregullave, gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit, kur kushtet atmosferike ndryshojnë shpesh, furnizimi me energji termike do të varet nga temperatura e ajrit dhe kushtet atmosferike në periudha të ndryshme të ditës. Kjo do të thotë se, kur temperaturat janë më të ulëta, furnizimi me energji termike rritet, ndërsa kur temperaturat janë më të larta, ai zvogëlohet. Në kushte të caktuara atmosferike, kur temperaturat e jashtme gjatë ditës arrijnë vlera të përcaktuara kufitare, furnizimi me energji termike ndërpritet, përkatësisht sistemi fiket.

Në kuadër të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore, brenda grupit Tessa Energy është paraparë një investim prej mbi 2 milionë eurosh në një impiant të ri kogjenerues me gaz, për prodhimin e kombinuar të energjisë termike dhe elektrike.

Një nga përfitimet e pritshme nga ky investim është mundësia e uljes së çmimit të energjisë termike për qytetarët, krahas zgjerimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të efikasitetit të sistemit. Sipas njoftimeve të Tessa Group, projekti pritet të kontribuojë edhe në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup, përmes përdorimit të zgjidhjeve moderne energjetike.

Konsumatorëve u bëhet thirrje që me kohë t’i kontrollojnë instalimet e tyre të brendshme të ngrohjes dhe të sigurojnë kushte për funksionimin e pandërprerë të sistemit.