Pas më shumë se tri dekadash pritje dhe mungese të vazhdueshme të ujit të pijshëm, në fshatin Siniçan të komunës së Bogovinës më në fund kanë nisur punimet për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm. Banorët e kësaj ane, të cilët para gjashtë vitesh u detyruan të ndërtonin vetë ujësjellësin duke protestuar dy muaj rresht në bjeshkë, kërkojnë që ky projekt të përfundojë pa vonesa dhe të vendosen orëmatës për mbrojtjen e ujit nga keqpërdorimi. Siç rrëfejnë vetë banorët, ky projekt prek një nga plagët më jetike të fshatit, pasi edhe në periudhat kur ka patur ujë, i njëjti ka qenë jashtë çdo standardi për pije:

“Kjo ka qenë një ndër kërkesat më jetike që kemi pasur ne si banorë të fshatit Siniçan, pas asaj beteje që zhvilluam gjashtë vite më parë me shumë mund e sakrificë e me ndihmën tuaj si media, mirëpo, në mungesë të ujit dhe cilësisë, na shfaqeshin këto nevoja. Ne si banorë, duke pasur parasysh mundin që kemi dhënë për ta sjellë ujin, të njëjtin e kemi konsumuar edhe pse nuk ka qenë në cilësinë e duhur.”

Për të parandaluar keqpërdorimet, banorët insistojnë që komuna të marrë masa konkrete për kontrollin e harxhimit.

“Komuna duhet ta ketë parasysh që të vë edhe orëmatës për ujin e pijes, sepse ne kërkojmë ujin për pije dhe jo për vaditje. Andaj kryetari duhet ta ketë parasysh këtë, që të vendos orëmatës jo vetëm te neve, por në gjithë komunën. Duhen patjetër orëmatës që të mos keqpërdoret.”

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, premton se puna po realizohet me standarde profesionale dhe financohet nga buxheti komunal, me synim përmbylljen e punimeve brenda këtij viti.

“Kryesisht bëhet fjalë për kaptim profesional. Do të bëhet me buxhet të komunës, që do t’i shërbejë rritjes së cilësisë së ujit në fshatin Siniçan. Kemi nisur në këtë periudhë, edhe pse është fundi i vitit, ne do të bëjmë maksimumin që ta kryejmë gjatë kësaj kohe, që në sezonin e dimrit apo vitin e ardhshëm të jetë projekt i përfunduar”, tha Feti Abazi

Mbetet të shihet nëse ky investim do t’u japë fund përfundimisht vuajtjeve shumëvjeçare të banorëve të Siniçanit për ujë të pijshëm, apo nëse premtimet e pushtetit lokal do të përballen sërish me vonesa administrative.