Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal ndaj A.A., nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve.

Sipas njoftimit, kallëzimi penal i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përkatësisht njësisë së specializuar që merret me veprat penale të kryera nga personat me autorizime policore dhe pjesëtarët e policisë së burgjeve.

I dyshuari, i punësuar në Departamentin për Mbrojtjen e Personaliteteve dhe Objekteve të Caktuara pranë MPB-së, dyshohet se kishte përpiluar dhe përdorur dy vërtetime të falsifikuara për dhurim gjaku, ndonëse më 3 mars dhe 9 korrik 2026 nuk kishte dhuruar gjak në Institutin e Transfuzionit të Gjakut, pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza”.

Sipas autoriteteve, me këto vërtetime ai kishte paraqitur dy kërkesa për shfrytëzimin e pushimit të paguar prej tri ditësh pune për secilin rast. Pushimet përfshinin datat 3, 4 dhe 5 mars, si dhe 9, 10 dhe 13 korrik 2026.

Ndaj tij, përveç kallëzimit penal për veprën “Falsifikimi i dokumentit”, sipas nenit 378 të Kodit Penal, Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë edhe propozim për nisjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës.