Tayna ka reaguar publikisht për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke dalë hapur në mbështetje të studentëve dhe duke përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta për drejtuesit e shtetit.
Përmes një deklarate të gjatë në Instagram, artistja ka bërë të ditur se prej ditësh po ndjek zhvillimet në Shqipëri, por këtë herë ka vendosur të mos mjaftohet vetëm me shpërndarjen e informacioneve.
“Të jesh kryeministër, president apo të mbash çfarëdo pozite udhëheqëse, nuk do të thotë të jesh mbi popullin. Do të thotë të jesh në shërbim të tij”, shkruan ajo, duke theksuar se kjo vlen edhe për qytetarët që kritikojnë pushtetin apo dalin në rrugë për të kërkuar ndryshime.
Tayna nuk ka kursyer as mesazhet për Policinë e Shtetit, teksa ka bërë thirrje për qetësi dhe shmangien e dhunës.
“Policia ka për detyrë t’i mbrojë qytetarët, jo t’i frikësojë ata”, është një tjetër deklaratë e fortë e saj.
Megjithatë, artistja ka theksuar se dhuna nuk duhet të vijë nga asnjëra palë, përfshirë protestuesit apo individët që mund ta shfrytëzojnë situatën për qëllime të tjera.
Në mesazhin e saj, Tayna është ndalur veçanërisht te studentët, duke kujtuar se pikërisht të rinjtë shqiptarë kanë qenë ndër ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës.
“Unë këndoj falë këtij populli. Falë këtyre të rinjve, këtyre studentëve që e kanë dëgjuar muzikën time, që më kanë mbështetur dhe që më kanë dhënë mundësinë ta jetoj ëndrrën time”, është shprehur ajo.
Artistja ka kërkuar gjithashtu që studentët të bashkohen rreth kërkesave konkrete dhe të mos lejojnë që zëri i tyre të përdoret për interesa që nuk i përfaqësojnë.
Një tjetër pjesë e deklaratës që bie në sy është thirrja e saj për dialog mes pushtetit dhe qytetarëve.
“Gjëja më e madhe që mund të bëjë një njeri me pushtet është të ulet përballë atyre që nuk pajtohen me të dhe t’u thotë: ‘Po ju dëgjoj. Le ta gjejmë një zgjidhje bashkë’”, shkruan Tayna.
Në përmbyllje, ajo ka përcjellë një mesazh që përmbledh qëndrimin e saj ndaj zhvillimeve të fundit: “Shqipëria nuk është e një partie, e një qeverie apo e një individi. Shqipëria është e njerëzve të saj.”
Reagimin e saj e ka shoqëruar edhe me mbishkrimin: “Gjithmonë me popullin! Gjithmonë me studentët!”.
The post ‘Nuk je mbi popullin’, Tayna reagon fuqishëm për protestat në mbështetje të studentëve appeared first on Veriu.info.
